Akuzohet për shpërdorim detyre, pezullohet nga detyra nënkomisari në Durrës

Drejtoria Rajonale e SHÇBA Durrës ka ekzekutuar vendimin penal të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për pezullim nga detyra kundrejt nënkomisarit Florian Skura.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka marrë vendimin penal duke caktuar masën e sigurimit "Pezullim i ushtrimit të një detyre e funksioni publik" për shtetasin Florian Skura, 30 vjeç.

Ai ishte me detyrë Specialist shërbimi dhe OPGJ në sektorin e Qarkullimit Rrugor pranë DVP Durrës, i dyshuar se ka konsumuar elementët e veprës penale "Shpërdorim detyre".

Ky punonjës dyshohet se në periudha të ndryshme kohore dhe në raste të përsëritura, nuk ka kryer veprime të plota hetimore sipas Kodit të Procedurës Penale duke mos i referuar materialet proceduriale pranë Prokurorisë, por duke i trajtuar në mënyrë administrative.

SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.