Shabani: Mandati i tretë i Ramës aventurë, s' ka surpriza vetëm do na mbarojnë paratë

Endri Shabani i nismës Thurrje në një lidhje ët drejtpërdrejtë me gazetaren Matilda Mcini për Ora News u shpreh se nuk ka rëndësi nëse mazhoranca dhe opozita bashkohen për të bashkë-qeverisur.

Për sa kohë ata veprojnë njësoj, nëse kanë të njëjtën sjellje dhe nëse përdorin pak a shumë të njëjtat politika, janë bashkë në njëfarë mënyre.

Çështja e bashkëqeverisjes PS-PD

Shabani: "Bindja ime është që këta jo vetëm janë bashkë, pro kanë qenë gjithmonë bashkë. Nëse punojnë me të njëjtë oligarkë, nëse i qeverisin partitë e tyre në të njëjtën mënyrë, nëse kanë të njëjtën sjellje, pak a shumë të njëjtat politika në njëfarë mënyre janë bashkë. Nuk bën dallim nëse bashkohen në një qeveri apo njëri bën sikur është në opozitë dhe tjetri në pushtet. Vendi ka nevojë që të ketë një debat politik, të ketë opozitë dhe ata që janë në pushtet. Kur këta njehsohen kjo është e dëmshme për demokracinë dhe politikën. Po t'i heqësh logot dhe emrat nuk është se i dallon dot njëri nga tjetri, thjesht do i përshpejtonte më tepër transformimin politik që Shqipëria ka nevojë. Këta janë njerëz që nuk jetojnë me hallet e qytetarëve. "

Shabani u shpreh se nëse do kishim një sistem  të drejtë zgjedhor Rama do ishte në opozitë që në vitin 2017 pasi ka marrë më pak se 50% të votave.

Shabani: "Që në 2017 Rama duhet të ishte në opozitë nëse do kishim një sistem tjetër zgjedhor. Edhe në 2017 edhe në 2021 ka marrë më pak se 50% të votave. Nëse do të kishim një sistem të drejtë, proporcional Rama do të ishte në opozitë ose në qeveri me një aleancë. Praktikisht me këtë sistem zgjedhor, pro edhe me mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të njerëzve Rama ka marrë një mandat."

I pyetur nëse qeveria Rama 3 do të sjellë diçka të re, Shabani tha se nuk pret asgjë pasi është i njëjti aktor dhe i njëjti skenar.

Shabani: "Unë gjithsesi nuk kam ndonjë shpresë sepse është i njëjti skenar, i njëjti aktor. Nuk ka ndonjë surprizë në këtë pikë, e vetmja surprizë është që dalëngadalë do na mbarojnë paratë sepse nuk mund të shkojë pafund kjo aventurë."

Në përfundim, Shabani tha se avash-avash do mbarojnë paratë dhe kjo mund të jetë e vetmja surprizë e qeverisë së re.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku