Plan për zmbrapsjen e emigrantëve, Anglia kthen pas anijet më klandestinë
Britania e Madhe pritet të përdorë flotën e saj për të kthyer pas anijet me emigrantë që nisen nga Franca.
Mbi 1,500 emigrantë të paligjshëm kanë kaluar këtë javë nëpërmjet Kanalit të La Manshit.
Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Priti Patel, takoi të mërkurën homologun francez për të koordinuar masat për veprimtaritë klandestine.
Mediet thonë se ndër idetë që u hodhën për diskutim ishte ndërhyrja e flotës kufitare për t'i kthyer anijet me emigrantë në ujërat francezë.
Mësohet se palët nuk arritën marrëveshje pasi ministri Zherald Darmanë e konsideroi me rrezik.
"Ruajtja e jetëve të njerëzve në det ka prioritet përpara politikave të shtetësisë, statusit apo emigracionit që aplikon një vend i cili respekton ligjin ndërkombëtar dhe operacionet e kërkim-shpëtimit në det," citohet se tha ministri Darmanë.
Taktika që kanë propozuar autoritetet britanike është përdorur më parë në Detin Egje nga flota detare greke e cila i kthente anijet me emigrantë andej nga ishin nisur, nga Turqia.
Turqia dhe grupet për të drejtat e njeriut e kanë quajtur praktikën të dënueshme ligjërisht, pasi shkel parimet humanitare dhe vë në rrezik më të dobëtit, si gratë dhe fëmijët.

