OKB: Afganistani rrezikon kolapsin, në krizë ekonomike që prej marrjes së pushtetit nga talibanët

Amerika dhe FMN-ja i kanë bllokuar talibanëve miliarda dollarë asete dhe po kërkojnë garanci se qeveria e re do u përmbahet zotimeve me të cilat erdhi në pushtet. Afganistani gjendet para krizës ekonomike dhe ka nevojë për ndihma humanitare.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se Afganistani po shkon drejt kolapsit ekonomik me qeverinë e re talibane.

Afganistani po kalon disa kriza, zhvlerësim të monedhës, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe karburantit, mungesa parash në banka dhe autoritetet nuk po u paguajnë pagat nëpunësve.

Donatorët e huaj siguronin 75 për qind të shpenzimeve publike për qeverinë afgane që humbi pushtetin një muaj më parë.

"Detyra jonë është të ndajmë solidaritetin tonë me një popull që po vuan shumë, ku miliona e miliona janë në rrezik vdekjeje nga uria. Prandaj kemi lëshuar apel që komuniteti ndërkombëtar të mobilizohet për ndihma humanitare."

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kujton se qeveria e Talibanit nuk është njohur ende ndërkombëtarisht.

Rreth 10 miliardë dollarë asete të bankës qendrore afgane janë bllokuar jashtë shtetit pasi besimi te fundamentalistët është i brishtë.

"Ne duam që vendi të qeveriset në paqe dhe stabilitet, që të respektohen të drejtat e njeriut. A kemi garanci se kjo do të ndodhë? Jo, prandaj edhe situata atje është e paparashikueshme."

SHBA-ja thotë se do i zhbllokojë asetet bankare nëse talibanët garantojnë largimin e sigurt të shtetasve nga Afganistani, ndërsa FMN-ja ka kushtet e veta për qindra milionë dollarë.

Ftesa në qeverinë e re të personave të akuzuar për terrorizëm, pretendimet për hakmarrje ndaj kundërshtarëve dhe shmangia e grave nga rolet politike, kanë shtuar rezervat se qeveria talibane ka ndryshuar shumë nga ajo e fundviteve 90.

"Shteti ynë modern ishte vetëm 20 vjeç, por kishim 500 gra gjyqtare dhe prokurore në gjithë vendin, kishim gati 12 mijë gra në polici e ushtri. Sot të gjitha ato rrinë fshehur, me frikë për jetën dhe familjet e tyre," tregon Uazhma Frog, një aktiviste për të drejtat e grave afgane.

Malala Jusafzai, e cila në moshën 15-vjeçare u qëllua në kokë pikërisht nga militantë të Talibanit, i tha Këshillit të Sigurimit se e shqetëson gjendja e femrave në Afganistan.

"OKB-ja dhe pjesëtarët e saj të mbajnë mend premtimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe vlerës së qenies njerëzore. Duhet të mbështetim arsimimin e vajzave afgane sepse është e drejta e tyre njerëzore dhe është thelbi për një Afganistan në paqe dhe të qëndrueshëm," u shpreh aktivistja pakistaneze dhe nobelistja e Paqes.