Debati parazgjedhor në Kanada, sondazhet e nxjerrin kryeministrin Trudeau pas rivalit të tij konservator

Kanadaja pas 10 ditësh bëhet gati të mbajë zgjedhjet e reja, ku kryeministri Xhastin Trudo po rrezikon të humbasë dhe t'ua lërë qeverinë konservatorëve, pas gjashtë viteve në pushtet.

Rivalët që duan qeverinë e Kandasë debatuan për herë të dytë para zgjedhjeve të 20 shtatorit.

Kryeministri liberal Xhastin Trudo, kundërshtari i tij më i fortë, konservatori Erin O'Tull, majtisti Xhamit Sing dhe ambientalistja Anami Pol ndeshën për tri orë idetë mbi krizën klimatike, pandeminë dhe ekonominë e Kanadasë.

Votuesit kanadezë i renditin çështjet mjedisore ndër problemet kryesore që përball vendi.

Trudo po bën fushatë për ekonomi të gjelbër.

"Do i reduktojmë me 36 për qind gazrat serrë brenda 2030-ës. Fatkeqësisht konservatorët duan të na kthejnë pas dhe t'i shkelin zotimet ndaj Marrëveshjes së Parisit për klimën."

Opozitarët shtuan se qeveria ka dështuar me objektivat për uljen e ndotjes nga karboni, pasi ende po shfrytëzohet sektori vendës i naftës, që është ndër më të mëdhenjtë në botë.

"Si kryeministër, z.Trudo i ka devijuar çdo vit objektivave dhe kanadezët duan plan konkret."

"Në gjashtë vite ke rezultatin më të keq se çdo vend i G7-ës. Ke premtuar eliminimin e subvencioneve për naftën, por si mund të të besojnë njerëzit kur rrit stimujt për të."

Zgjedhjet e parakohshme në Kanada u shpallën muajin e kaluar pasi kryeministri Trudo njoftoi se numrat në parlament nuk e lejojnë që të ndjekë politika ambicioze dhe masa më kufizuese për pandeminë, si vaksinimin për udhëtimet.

Opozita e ka kritikuar qeverinë për mbajtjen e garës në mes të valës së katërt të pandemisë.

Gjatë debatit u qortua edhe politika e jashtme e vendit siç u provua së fundmi në Afganistan apo qasja e butë ndaj Kinës.

Konservatori O'Tull është i pari në sondazhe përballë kryeministrit Trudo, i cili këto javë edhe po ballafaqohet me protesta të qytetarëve që i kundërshtojnë vaksinat dhe masat shtrënguese.