Biden pritet të nënshkruajë urdhër ekzekutiv: Punonjësit e administratës të vaksinohen kundër Covid

Presidenti amerikan, Joe Biden do të kërkojë që të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët qeveritarë të vaksinohen kundër covid-19.

Në muajin korrik, Biden tha se punonjësit federalë duhet të vaksinoheshin ose të bënin testime të shpeshta kundër Covid, të mbanin maska ​​në vendet e punës, por foli edhe për kufizime në udhëtimet zyrtare.

Ruters raporton se ditën e sotme, Presidenti amerikan do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të mbulojë vaksinimin e miliona punonjësve federalë dhe kontraktorëve që bëjnë biznes me qeverinë, përcjellë Ora News.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki u shpreh se sot pritet që Biden të dalë në një konferencë dhe të flasë për planet e reja për të vaksinuar më shumë njerëz, duke ulur numrin e infeksioneve dhe duke mbajtur shkollat ​​të hapura.

Pak më shumë se 53% e amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar, përfshirë pothuajse dy të tretat e popullsisë së rritur, sipas të dhënave të CDC.

Si pasojë e sëmundjes vdekjeprurëse kanë humbur jetën më shumë se 651 mijë amerikanë./Ora News/