Mbërrin në Kosovë grupi i tretë i afganëve, 131 persona ulen në aeroportin “Adem Jashari”

Kanë mbërritur ditën e sotme grupi i tretë i qytetarëve afganë në Kosovë.

Aeroplani i forcave amerikane, i nisur nga Gjermania, aterroi në Aeroportin “Adem Jashari” rreth orës 17:00 me 131 afganë në bord.

Ndërkohë, deri më tani, Kosova ka strehuar 355 afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet anëtar të NATO-s.

Më herët gjatë së martës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se pak pas mesnate, në Kosovë arritën 113 afganë, që ishin bashkëpunëtorë të NATO-s dhe familjet e tyre.

“Strehimi i tyre është i përkohshëm edhe bazuar në vendimet e qeverisë. Ne kemi marrë zotimin e aleatëve tanë që strehimi i tyre të zgjatë sa më shkurt që është e mundur. Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, tha ai.

Sveçla tha se nuk e di numrin e saktë të fëmijëve në grupin e dytë, por edhe të grupit të tretë që erdhi më 31 gusht. Megjithatë, ai tha se nëse është e nevojshme, Kosova do të mundësojë që ata të edukohen.

“Jam i bindur se strehimi i tyre nuk do të zgjasë aq shumë sa të fillohet me përgatitjet e vitit shkollor”, theksoi Sveçla.

Sipas tij asnjë nga shtetasit afganë nuk është i infektuar me koronavirus dhe ata do të vaksinohen me vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, të ofruar nga Shtetet e Bashkuara.