SHBA i dhuron Kosovës 55 autoblinda
Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me automjete të reja ushtarake nga Amerika.
55 mjete luftarake të blinduara dhe të armatosura iu dhuruan të hënën si pjesë e planit për transformimin e kapaciteteve të vendit.
Presidentja Vjosa Osmani tha se FSK-ja është përkushtuar që ta përfundojë sa më shpejt fazën e tranzicionit në ushtri të plotë.
“Pajisjet ushtarake të cilat po i pranoni sot janë dëshmi se ushtria jonë po zhvillohet dita-ditës në ushtri bashkëkohore, e aftë që t'i shërbejë vendit dhe të sigurojë paqen e qëndrueshme jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, edhe në partnerë të besueshëm të aleatëve tanë synimet e të cilëve përkojnë dhe kanë përkuar gjithnjë me synimet tona strategjike. Këto pajisje do t'ju ndihmojnë që të zgjeroni edhe më tej kapacitetet tuaja të parapara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, mbështetur në misionin dhe mandatin tuaj të ri," tha Osmani.
Autoblindat e fundit u shtohen 51 mjeteve tip "Humvee" nga SHBA-ja, blindave të prodhimit turk dhe dronëve amerikanë në të ardhmen.
“Këto pajisje të cilat janë karakteristikë për terrene të vështira dhe kanë rezistencë efikase ndaj goditjes së predhave do të u mundësojnë juve që veprimet tuaja në ruajtjen e paqes t’i zgjeroni e t’i shtrini gjithandej kudo të ju kërkohet. Shpresoj që faza e ardhshme e ngritjes së kapaciteteve të përfshijë edhe helikopterët shumë të nevojshëm për ushtrinë tonë e për shtetin tonë, të cilët përtej ofrimit të kapaciteteve mbrojtëse, do të shërbejnë edhe për të shpëtuar jetën njerëzish në rast të emergjencave, ose katastrofave humanitare, sikurse janë ato që pasojë nga ndryshimet klimatike. Prandaj edhe këtu e shfrytëzoj rastin që të kërkoj ndihmën e aleatëve tanë për t’u pajisur në këtë mënyrë edhe forca jonë," tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti e quajti SHBA-në një partner të pazëndësueshëm strategjik.
Nga kazerma "Adem Jashari" ku u ekspozuan automjetet, shefi i qeverisë u shpreh optimist për të forcës ushtarake të Kosovës.
“Zbarkimi i përbashkët i pjesëtarëve të FSK-së me pjesëtarët e ushtrisë amerikane në Kuvajt, pjesëmarrja dhe mikpritja si vend nikoqir i ndërmarrjes më të madhe ushtarake ‘Defender Europe 21’, ka dëshmuar që Forca e Sigurisë së Kosovës i ka më të mëdha aftësitë sesa mundësitë, prandaj vullnetit tuaj të paepur me të cilin jeni të pajisur si ushtarak, ne po ja bashkëngjisim bashkërisht edhe pajiset e tjera ushtarake siç janë këto automjete moderne. Andaj i nderuar ministër Mehaj, dhe ju ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës, uroj që këto automjete të blinduara të përdoren në mënyrën më të mirë në shërbim të ruajtjes së interesave të vendit dh sigurisë e stabilitetit në vend, në rajon e më gjerë," tha Kurti.
Kuvendi i Kosovës e ndryshoi mandatin e FSK-së në vitin 2018, duke i lënë 10 vite kohë për të fituar kapacitetet e plota ushtarake, me objektivat për të ruajtur sovranitetin territorial dhe të mbështetë operacionet civile e ndërkombëtare./OraNews/

