Parisi shkel frenat - vendos kufirin e shpejtësisë prej 30 km/orë për të ulur ndotjen
Autoritetet në kryeqytetin francez, në Paris, po i detyrojnë shoferët të ulin shpejtësinë, duke vendosur një kufi në pothuajse të gjitha rrugët e qytetit, në përpjekje për të ulur ndotjen dhe për të rritur sigurinë në rrugë.
Por a do të ketë dobi? Ka pikëpyetje rreth këtij rregulli (i cili i kufizon shoferët në 30km/orë), nëse do ta ulë vërtet ndotjen. Disa kritikë thonë se do e përkeqësojë trafikun e orarit kulmor të qytetit, madje mund edhe ta rrisë prodhimin e gazeve të dëmshme.
Por varet... nëse shoferëve u vjen në majë të hundës ky kufizim, ata mund të zgjedhin për të lëvizur me mënyra të tjera.
Për t'i shkurajuar edhe më tej shoferët nga futja e makinave në qytet, autoritetet po i heqin qafe Parisit edhe 60,000 nga 144,000 vende parkimi në rrugët publike, për t'i bërë ato "të mundshme për të gjithë", si dhe do të shfrytëzojnë më mirë parkimet nëntokësore. Disa trotuare do të zgjerohen, duke lejuar më shumë hapësirë për të ecur, për pemë e bimë, si dhe do të shtrohen korsi të reja për biçikleta.
Nënkryetari i Bashkisë së Parisit, David Belliard, i cili është përgjegjës për transportin, tha se shpresohet që kufiri i shpejtësisë do t'i largojë plotësisht njerëzit nga ngarja e makinave dhe do të nxisë më tepër ecje, përdorim të transportit publik dhe biçikletave.
Të dielën, ai shpërndau një "tëeet" për të devijuar kritikat në rrjete rreth rregullit të ri.
"Një sqarim miqësor se çfarë po thonë ata që e kundërshtojnë kufirin e shpejtësisë: JO, një kufi shpejtësie prej 30km/orë nuk e rrit ndotjen... por përmirëson sigurinë për çiklistët dhe këmbësorët, ul zhurmën, pra e bën qytetin më të qetë", tha ai.
Zyrtarët e Bashkisë së Qytetit thanë se ndryshimi do të ulë numrin e përgjithshëm të aksidenteve me rreth 25% dhe të aksidenteve me pasojë vdekjen me rreth 40%, duke treguar një studim të OBSH-së.
Ndotja dëgjimore do të përgjysmohet, përllogarisin ata, duke thënë se zhurma nga trafiku ka ndikime të këqija trupore dhe mendore, duke përfshirë stresin, pagjumësinë dhe depresionin.
Ndryshimi i rregullit vjen pas një këshillimi publik, që u mbajt në tetor dhe nëntor të 2020-ës, në të cilin morën pjesë më shumë se 5,700 njerëz.
Mutacioni "Mu", OBSH ngre alarm për variantin e ri të Covid-19
1 Shtator, 10:4


