Mbërrijnë 100 afganët e parë ne Kosovë, priten në aeroport nga Osmani e Kurti
Kosova mirëpriti grupin e parë prej 111 afganësh nga disa qindra shtetas që vendi do të strehojë provizorisht për një vit.
Avioni i ushtrisë amerikane u ul të dielën pas orës 20:00 në aeroportin e Prishtinës, ku i prisnin presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe ambasadori i SHBA-së.
Osmani dhe Kurti thanë se situata i rikthen popullit të Kosovës memorien e 22 viteve më parë kur NATO-ja kishte ndërhyrë t'i shpëtonte nga gjenocidi, si tani afganët nga Talibani.
“Ne sot para të gjithë atyre treguam që i kemi hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona sepse si njerëz që qenë viktima të një pushteti gjenocidal. E kuptojmë shumë mire se çka do te thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote, andaj jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë për një përpjekje të te gjithë këtyre partnerëve nga Shtetet e Bashkuara deri te shteti i fundit i NATO-s, në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe që ata që vijnë këtu në Kosovë te ndjehen që më në fund janë të sigurt," tha Osmani.
“Ju thamë që janë mysafirët tanë dhe këtu janë të sigurt. Është nder për ne, është nder për mua që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë që sikurse gjithë popujt dhe qytetarët tjerë në botë e meritojnë të kenë të drejta dhe liri. Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna tek aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si. Pra, të gjitha çështjet që i diskutojmë janë të natyrës teknike e logjistike se si këta refugjatë të kalojnë sa më këtë në vijim pas një konflikti që kanë pas në atdheun e tyre," tha Kurti.
Ministri Sveçla informoi se nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë, por sado të jetë, vendi do ta përballojë.
Për ta janë përgatitur edhe mjediset në kushtet e pandemisë së covidit, në rast karantine ose për nevoja vaksinimi.
“Numri i shtetasve që erdhën sonte në Kosovë janë 111. Në mesin e tyre kemi parë një numër të madh të fëmijëve, gra dhe pleq, të cilët janë familjarë të bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan. Do të vendosen në ish-kampin e Bechtel Enca dhe do të jenë vetëm grupi i parë i shtetasve afganë që do t’i strehojmë. Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër. Kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme. Është çështje e organizimit të aleatëve tanë sa i takon nisjes së aeroplanëve të tyre për në Kosovë... Numri nuk është përcaktuar saktë, por nuk do të jetë i madh, i cili do të jetë i papërballueshëm për ne," tha Sveçla .
Kosova së bashku me Shqipërinë kanë miratuar mbrojtjen e përkohshme për afganët, ndërsa e gatshme është treguar edhe Maqedonia e Veriut, e cila mbetet në pritje të shtetasve të evakuar nga aeroporti pas ardhjes në pushtet të Talibanit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se do të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja./OraNews/
