Video/ Rashani gol dhe asist, afron Clermont me PSG në krye të renditjes

Elbasan Rashani po kalon një moment magjik në kampionatin francez. Sulmuesi 28-vjeçar nga Kosova, javën e kaluar mahniti të gjithë tifozët me dy gola për Clermont duke i hequr fitoren Lyonit në fund ndërsa sot sërish ai u bë protagonist me ekipin e tij.

Në ndeshjen para tifozëve të tyre ndaj Metz, lojtari dardan shkëlqeu edhe njëherë duke dhënë asist dhe duke shënuar një gol në barazimin 2-2 në këtë sfidë, shkruan Ora News.

Me këtë barazim, Clermont, që mos harrojmë ka ardhur nga një kategori më poshtë, është në vendin e tretë, në zonën Champions League për momentin në këtë kampionat, shumë pranë PSG-së me yje.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera, Monaco siguroi fitoren e parë, 2-1 në fushën e Troyes, Angers bëri surprizën me fitoren 2-0 ndaj Rennes dhe Lens barazoi 2-2 me Lorient.