Brdariç kërkon Superkupën: Vllaznia duhet të jetë e uritur për trofe

Të Shtunën do të luhet për trofeun e parë të rëndësishëm për sezonin e ri futbollistik në Shqipëri. Kampionia e Shqipërisë, Teuta dhe fituesja e Kupës, Vllaznia, do të përballen në “Elbasan Arena” në prani të tifozëve, afro 3800 sipas kufizimeve që kanë vendosur autoritetet dhe do të jetë sipari për startin e sezonit të ri 2021-2022, shkruan Ora News.

Sot në konferencën për shtyp përpara kësaj supersfide, folën trajneri Brdariç dhe kapiteni Gurishta ku shprehën edhe ambiciet për të sjellë këtë trofe në Shkodër.

“Humbja e kampionatit sezonin e kaluar dhemb disi por mendoj se është një kapitull i ri dhe besoj se do të jetë një mbrëmje e magjishme për ata tifoz që duan futbollin e bukur. Për mua është e rëndësishme se si punojmë, të jemi seriozë dhe të jemi uritur për trofe dhe nëse i ke këto cilësi, trofetë do të vijnë. Duhet të kemi besim te cilësitë tona. Ne do mundohemi të jemi në gjëndjën më të mirë nesër, të japim maksimumin dhe në fund tifozët tanë të jenë më se krenar për përformancën që ne do të bëjmë. Të gjithë tifozët do kenë një ndeshje mjaft të bukur nesër, tifozët e futbollit shqiptar. Mund të themi që do të përballen dy nga ekipet më të mira të vitit të kaluar, që sigurisht do të jenë prentendente dhe sivjet. Sigurisht të gjithë do të kenë çfarë të shohin, por ne do mundohemi që tifozët e Vllaznisë t'i bëjmë sa më të lumtur. Me sinqeritetin më të madh, jam shumë i lumtur që Gurishta është këtu me ne, sepse ai është jo vetëm kapiten, por  edhe shtyllë e skuadrës. është gjëja më e mirë që mund të kishim që ai të ishte këtu me ne. Të gjithë janë të gatshëm, por kur të jemi dhe më në formë do të jemi akoma dhe më mirë.", përfundoi trajneri I Vllaznisë.

Edhe Kapiteni Gurishta shpreh besim për fitimin e Superkupës teksa ai ka lënë pas problemet fizike dhe është i gatshëm të luajë ndaj Teutës.

“Të gjithë mezi po e presim ndeshjen. E dëshiroj shumë këtë trofe. Jemi të motivuar. Të gjithë duken ne formë, tani duhet të presim vetëm ditën e nesërme. Kam thënë që Vllaznia e ka merituar titullin, jo vetëm unë në fakt, por 80% e Shqipërisë dhe nesër do mundohemi që ato 20% që nuk na kanë besuar t'i bindim që ne e kemi merituar titullin. Ne do bëjmë ndeshjen tonë, do luajmë lojën tonë. është një ndeshje jo vetëm prestigji, por përderisa është finale duhet ta konsiderojmë si finale dhe finalet luhen për t'u fituar, jo vetëm për t'u zhvilluar. Besoj se nesër do të dalim me kokën lart dhe do ta marrim trofeun”, deklaroi kapiteni shkodran.