“Ata na detyruan për këtë”, Akuzoi deputetin për ngacmim seksual, vetëdigjet 24-vjeçarja
Vdekja e një gruaje 24-vjeçare indiane, e cila i vuri zjarrin vetes javën e kaluar pasi pretendoi ngacmimin nga policia dhe gjyqësori me urdhër të një deputeti që ajo e kishte akuzuar për përdhunim, ka vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes trajtimin e turpshëm të grave në Indi.
Gruaja dhe një shok ishin drejtpërdrejt në Facebook më 16 gusht kur spërkatën veten me benzinë dhe i vunë flakën. Ata u dërguan në spital me djegie të rënda. Burri vdiq të shtunën. 24-vjeçarja ndërroi jetë të martën, 24 gusht në mbrëmje, raporton Ora News.
Gruaja kishte akuzuar Atul Rai, një deputet nga Partia Rajonale Bahujan Samaj (BSP), për përdhunimin e saj në shtëpinë e tij në qytetin Varanasi dhe regjistroi një ankesë në polici kundër tij në maj 2019.
Zoti Rai, i cili mohon akuzat, u arrestua një muaj më vonë dhe ka qenë në burg për dy vitet e fundit.
Në video -regjistrimin në Facebook, e reja shihet duke akuzuar deputetin se ka përdorur ndikimin e tij për ta ngacmuar.
Ajo dhe shoku i saj akuzuan disa zyrtarë policie dhe madje edhe një gjykatës, duke pretenduar se ata bashkëpunuan me zotin Rai.
"Ne kemi arritur në destinacionin ku ata na donin. Ata bënë përpjekje gjatë një viti e gjysmë për të na shtyrë në këtë pikë," thotë ajo.
"Autoritetet na kanë detyruar që nga nëntori 2020 të vdesim. Ne duam që të gjithë ju, qytetarët e Uttar Pradesh dhe vendi, ta dëgjoni këtë," thotë shoku i saj.
"Hapi që do të ndërmarrim është i dhimbshëm dhe i frikshëm. Ne jemi gjithashtu pak të frikësuar, por kjo frikë është e pakuptimtë," shton ai, disa minuta para se ata të vetë-digjen.
Autoritetet shtetërore thanë se kishin pezulluar dy oficerë dhe po hetonin incidentin.
Përdhunimi dhe krimet seksuale kanë qenë në qendër të vëmendjes në Indi që nga dhjetori 2012 kur një grua 23-vjeçare u përdhunua në grup nga gjashtë burra në një autobus në Delhi. Ajo vdiq disa ditë më vonë nga plagët e marra./OraNews/
