"Shpikja që shpëton jetë", 22-vjeçari britanik krijon pajisjen që ndalon gjakderdhjen nga sulmet me thikë
Një djalosh 22-vjeçar britanik ka shpikur një pajisje të rëndësishme që mund të shpëtojë jetën e qytetarëve që bien pre e sulmeve me thikë. Pajisja ndalon gjakderdhjen brenda 60 sekondash, dhe pritet të përdoret nga forcat policore. Ai ka fituar çmim të rëndësishëm për shpikjen e tij, ndërsa thotë se ishin dy miq të tij që u plagosën me thikë, që e frymëzuan të bënte këtë shpikje.
"Miqtë e mi kanë qenë viktima të sulmeve me thikë, dhe ky ka qenë motivi për të sjellë këtë shpikje timen në konkurs," thotë 22 vjeçari Joseph Bentley.
Ai ka fituar një çmim simbolik prej 2000 paundësh për shpikjen e tij, ku brenda 60 sekondash ndalohet gjakderdhja e plagëve të marra nga shpimi me thikë.
Kjo shpikje do të ndihmojë shumë policë që të ndihmojnë viktimat e sulmeve me thikë derisa të mbërrijnë mjekët e specializuar.
E emërtuar “React”, kjo pajisje e re funksionon duke fryrë një tullumbace silikoni brenda plagës që bën të mundur ndalimin e humbjes së gjakut. Djaloshi e shpiku këtë pajisje ndërsa është student për dizajn në Universitet dhe u frymëzua për të gjetur një zgjidhje për këtë problem, pasi dy miqtë e tij të kishin mbetur viktima të sulmeve me thikë.
"Sulmi me thikë është një temë personale për mua, pasi dy nga miqtë e mi ishin viktima të incidenteve të këtilla," tha maturanti nga Essexi për gazetarët britanikë.
"Fatmirësisht incidentet nuk ishin fatale, por ky nuk është rasti për shumë të tjerë. Duke parë efektin e thellë që pati tek miqtë dhe familjet e tyre ky sulm, u nxita të provoja dhe të krijoja një zgjidhje që mund të ndihmonte të tjerët në të ardhmen," thotë Joseph Bentley.
Sipas autoriteteve policore britanike sulmet me thikë janë një shqetësim për komunitete të ndryshme në shumë lagje të Britanisë.
Të njëjtin shqetësim ndajnë edhe mjekët, që thonë se ka raste të shtuara të sulmeve me thikë, ku gjakderdhja e tepërt dhe mosmarrja e masave të menjëhershme mund të çojë në humbjen e jetës.
Çmimi James Dyson u krijua për t’i dhënë shtysë brezit të ri të inxhinierëve për shpikje në dobi të njerëzimit. Përveç fitimit të 2,000paundëve, 22 vjeçari Bentley tani do të hyjë në garën ndërkombëtare për shpikjen që ka bërë.

