Zyrtari taliban: Nuk mund të fajësohemi për kaosin në Afganistan
Një zyrtar taliban i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se talibanët "nuk mund të fajësohen" për kaosin dhe dhunën rreth aeroportit të Kabulit, ndërsa afganët nxituan të evakuojnë vendin.
Ruajtja e rendit dhe ligjit në territorin e kontrolluar nga talibanët është "përparësia kryesore" e grupit, tha zyrtari.
Bisedimet midis udhëheqësve talibanë në lidhje me fatin e anëtarëve të ushtrisë kombëtare afgane kanë filluar, tha zyrtari, dhe disa nga anëtarët e lartë të grupit kanë filluar regjistrimin e armëve, municioneve dhe automjeteve të lëna pas nga forcat amerikane dhe aleate.
Prej 5 ditësh kaosi dhe paniku mbizotërojnë në Afganistan, që prej marrjes së pushtetit të vdendit nga talibanët.
Që prej 15 gushtit, qytetarët afganë janë dyndur drejt aeroportit për të shpëtuar nga grupi ekstremist.
Pavarësisht se talibanët thanë në konferencën e tyre të parë se synojnë paqen, ata kanë penguar evakuimin e afganëve, duke shkaktuar vdekjen e 12 personave në aeroportin e Kabulit.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë e SHBA, nëpërmjet një postimi në Twitter ka përditësuar të dhënat e fundit, mbi numrin e qytetarëve që janë evakuuar nga Afganistani, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar Hamid Karzai. Në 24 orët e fundit janë evakuuar 2,000 njerëz. Që nga 14 gushti janë evakuuar 7,000 njerëz dhe që nga fundi i korrikut janë evakuuar në total 12,000 qytetarë.
Shtëpia e bardhë bën me dije se në terren ndodhen 5,200 trupa ushtarakë dhe se aeroporti është i sigurt dhe i hapur.


