SHBA: Aeroporti në Kabul është i sigurt, 2,000 njerëz të evakuuar në 24 orët e fundit

Shtëpia e Bardhë e SHBA, nëpërmjet një postimi në Twitter ka përditësuar të dhënat e fundit, mbi numrin e qytetarëve që janë evakuuar nga Afganistani, nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar Hamid Karzai.

Në 24 orët e fundit janë evakuuar 2,000 njerëz. Që nga 14 gushti janë evakuuar 7,000 njerëz dhe që nga fundi i korrikut janë evakuuar në total 12,000 qytetarë.

Shtëpia e bardhë bën me dije se në terren ndodhen 5,200 trupa ushtarakë dhe se aeroporti është i sigurt dhe i hapur.

Ndërkohë mbrëmë, ambasada e SHBA njoftoi nëpërmjet një deklarate se  nuk mund të siguronte kalimin e  sigurt të shtetasve afganë në aeroport.

"Qeveria e SHBA nuk mund të sigurojë kalimin e sigurt në aeroportin ndërkombëtar Hamid Karzai", shkruhej në deklaratë.

Prej 5 ditësh kaosi dhe paniku mbizotërojnë në Afganistan, që prej marrjes së pushtetit të vdendit nga talibanët. Që prej 15 gushtit, qytetarët afganë janë dyndur drejt aeroportit për të shpëtuar nga grupi ekstremist.

Pavarësisht se talibanët thanë në konferencën e tyre të parë se synojnë paqen, ata kanë penguar evakuimin e afganëve, duke shkaktuar vdekjen e 12 personave në aeroportin e Kabulit.