Apeli i SHBA për amerikanët në Afganistan: Ejani sa më shpejt në aeroport
Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një njoftim të ri për qytetarët amerikanë në Kabul, duke u kërkuar amerikanëve dhe familjeve të tyre, të udhëtojnë në aeroportin e qytetit "sa më shpejt të jetë e mundur".
"Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk mund të sigurojë kalim të sigurt në aeroport," thuhet në njoftim, sipas partnerit amerikan të BBC, CBS News.
Ndërkohë pak më parë, Shtëpia e Bardhë ka bërë një postim në Facebook me përditësimin e fundit të numrit të qytetarëve të evakuuar, ku ka thënë se në aeroport ndodhen 5,200 trupa ushtarakë dhe se aeroporti është i sigurt.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby u shpreh sot se koordinimi me talibanët është më se i nevojshëm. Ai theksoi se nuk ka pasur “asnjë ndërveprim armiqësor” midis talibanëve dhe trupave amerikane.
Prej 5 ditësh kaosi dhe paniku mbizotërojnë në Afganistan, që prej marrjes së pushtetit të vendit nga talibanët. Që prej 15 gushtit, qytetarët afganë janë dyndur drejt aeroportit për të shpëtuar nga grupi ekstremist.


