Talibanët po pengojnë evakuimin e afganëve, 12 të vrarë në aeroportin e Kabulit
Talibanët u kanë kërkuar afganëve të cilët presin të largohen jashtë që të kthehen në shtëpitë e tyre nëse u është refuzuar udhëtimi.
Rrugët e kryeqytetit Kabul po patrullohen nga njerëzit e armatosur.
Të paktën 12 afganë raportohet të jenë vrarë me armë ose duke u shtypur me njëri-tjetrin në përpjekjen për t'u evakuar nga vendi.
"Kemi raportime se Talibanët, ndryshe nga ç'deklaron publikisht dhe zotimeve të qeverisë, po i bllokon afganët që i drejtohen aeroportit," deklaroi një ditë më parë Departamenti i Shtetit.
Deri tani, amerikanët kanë kryer shumicën e evakuimeve nga Afganistani dhe planifikojnë të nxjerrin prej andej 15 mijë shtetasit e vet dhe gati 22 mijë afganë të rrezikuar.
Qindra afganë po largohen përditë edhe me avionët ushtarakë të Britanisë, Gjermanisë e Francës.
Ndërsa talibanët theksojnë se do të rikthejë stabilitetin në vend, gjeneralët amerikanë dhe presidenti Xho Bajden përsëritën të mërkurën se janë ende të hutuar nga fakti se si qeveria dhe ushtria afgane e dorëzuan aq shpejt pushtetin, brenda 11 ditëve dhe jo javëve e muajve që kishin parashikuar specialistët.
"Ke qeverinë e Afganistanit, liderin e saj që ikën e fluturon me avion në një shtet tjetër. Ke kolapsin e trupave afgane, mbi 300 mijë të stërvitur prej nesh, të cilët thjesht ikin dhe lënë armët. Kjo është ajo që ndodhi. Tani ne do të bëjmë gjithçka që të nxjerrim gjithë amerikanët dhe aleatët prej andej. Ne vlerësojmë se janë diku te 50-65 mijë persona, bashkë me familjet."
Trupat amerikane mund të qëndrojnë në territorin afgan përtej datës 31 gusht nëse nuk do të realizohej objektivi i evakuimeve.
Ndërkohë në vend ka mbetur edhe një front rezistence në rajonin e Panxhshirit, që synon të bëjë bashkë muxhahedinët për çlirimin e vendit nga regjimi taliban.
Të enjten, Talibani shënoi 102-vjetorin e Pavarësimit të Afganistanit nga Britania, dhe deklaroi se në këtë përvjetor, rezistenca xhihadiste njëherazi feston largimin e fuqisë tjetër arrogante të botës, Amerikës, nga territori i shenjtë i Afganistanit.