Nxehtësia gjeotermike e Tokës mendohet se po ndikon te shkrirja e Akullnajave në Antarktidë

Shkencëtarët mendojnë se kanë gjetur një shpjegim tjetër se pse akullnajat në kontinentin e Antarktidës po shkrijnë me ritëm të shpejtë.

Një studim i Institutit gjerman për Kërkimet Polare dhe Detare "Alfred Vegener" dhe i Observatorit Britanik për Antarktidën në Kembrixh të Britanisë së Madhe tregon se arsyeja nuk është veç kontakti me ujërat e ngrohtë prej ngrohjes globale, por edhe fenomeni natyror i nxehtësisë së brendshme të Tokës.

Studiuesit matën fushën magnetike për të përcaktuar brezat e nxehtësisë nën akullnajat në perëndim të Antarktidës.

Ndryshe nga pjesa lindore e kontinentit ku korja e planetit arrin trashësinë 40 km, zonat perëndimore kanë një moshë më të re gjeologjike dhe janë rreth 17-25 km të trasha, kryesisht në thellësi poshtë nivelit të detit.

Të dhënat e marra nga shkencëtarët u aplikuan për të shpjeguar shkrirjen e përshpejtuar të Akullnajës së Thuejtit, e cila vlerësohet se ka ndikimin më të madh se çdo akullnajë tjetër në rritjen e nivelit global të detit, me 4 për qind.

"Atje ku trashësia e kores së Tokës është 17 deri 25 km, nxehtësia e brendshme e planetit krijon flukse që arrijnë 150 milivat për metër katror në Akullnajën e Thuejtit," sqaron gjeofizikantja gjermane, Rikarda Xiadek.

Shkencëtarët thonë se nuk janë të bindur për vlerën sa ndikon nxehtësia gjeotermike në fund të akullnajave, pasi për këtë do duhej të shpohej shtrati i shtresës akullnajore dhe ky proces është lënë për fazën tjetër kërkimore.

Një ekip i ndryshëm studiuesish zbuloi së fundmi zhdukjen e një tjetër mase të madhe ujërash nënakullnajorë në lindje të Antarktikës, e cila kishte dalë në oqean pas një krisjeje fundore ose hidrofrakturës, fenomenon që ndodh te akullnajat me trashësi rreth 1,400 metra.