25 kallëpë tritoli në biznesin gjerman të çimentos në Durrës

Policia e Durrësit, ka gjetur në orët e para të mëngjesit plot 25 kallëpë tritoli, të vendosura në njërën nga kollonat e betonit, të një godine që shërben si biznes çimentoje në zonën e Durrësit.

Sasia e madhe e tritolit ishte bërë gati për shpëthim, por personat që e kanë vendosur, nuk e kanë aktivizuar shëprthimin.

Me sa duket konstatimi i prezencës së tritolit nga roja i biznesit dhe paraqitja e shpejtë e policisë, ka sjellë dështimin e planit të autorëve për të shpërthyer tritolin që nëse do aktivizohej sigurisht do sillte dhe shëmbjen e plotë të objektit,për shkak të sasisë së madhe që ishte vendosur në njërën prej kollonave.

Objekti ndodhet në lagjen nr.14 në Durrës, çka do të sillte dhe dëmtime të banesave të tjera nëse do kishte ndodhur shpërthimi.

Sasia e tritolit është vënë re nga roja i objektit, i cili më pas ka njoftuar policinë lokale dhe administratorin e biznesin, shtetasin bullgar Mihail Lazarov.

Biznesi ka disa vite që ushtron aktivitetin tregtar në qytetin e Durrësit dhe menaxhohet nga dy shtetas gjermanë, të cilët kanë sjellë në tregun Shqiptar një markë çimentoje gjermane. Dyshimet deri në këto momente janë se sasia e tritolit mund të jetë vendosur për shkak të konkurencës në bizenesin e çimentos.

Por nuk përjashtohet dhe mundësia e influencës së grupeve kriminale në Durrës, për vendosjen e gjobave financiare. Prej orëve të para të mnëgjesit të sotëm policia ka sekuestruar sasinë e tritolit, të cilin e ka çuar për ekspertim, me shpresën e gjetjes në pako të gjurmëve të gishtave.

Ndërsa janë marë në pyetje roja i këtij biznesi dhe administratori bullgar, Mihail Lazarov. Ky i fundit ka treguar në polici se nuk kanë asnjë konflikt dhe nuk ishte në gjëndje tu tregonte grupit hetimor, lidhur me shkaqet dhe arsyet që kanë çuar personat e paidentifikuar deri në këto momente, për vendosjen e sasisë së tritolit në ambjentet e këtij biznesi.