“Nuk e dimë kush na dërgoi në kampet e luftës!” Heshtin të kthyerit nga Siria
Grupi i personave të fundit që u riatdhesua në Shqipëri nga kampet e luftës në Siri nuk ka ndihmuar hetimin e autoriteteve shqiptare ndaj personave radikalë që kanë dërguar gratë dhe fëmijët shqiptarë në frontin e luftës.
Personat e kthyer nga Siria janë marrë në pyetje, por nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorët shqiptarë për të treguar personat që i kanë rekrutuar.
Marrja në pyetje e të riatdhesuarve është bërë nga prokurorët e SPAK dhe anti-terrori, por qytetarët shqiptarë nuk kanë treguar fakte te reja që mund të çojnë përpara hetimet për nxjerrjen e përgjegjësve që kanë dërguar burra, gra e fëmijë në kampet e luftës .
Gjatë marrjes në pyetje ata janë shprehur se nuk kanë pasur për udhëtimin drejt zonave të luftës në Lindjen e Mesme, duke ua lënë përgjegjësinë kryesisht bashkëshortëve të tyre të cilët kanë qenë edhe pikat e kontaktit me personat që organizonin këtë aktivitet.
Kjo është edhe pengesa që kanë hasur hetimet, pasi një pjesë e burrave që kanë shkuar në Siri, kanë humbur jetën në luftime e të tjerë vijojnë të jenë pjesë e grupeve ekstremiste.
Autoritetet po vijojnë hetimet duke kryer intervista të vazhdueshme me të riatdhesuarit të cilët mbahen në qendra të mbikëqyrura duke marre edhe shërbim psikologjik të vazhdueshëm.
Dëshmitë e tyre do të ndihmonin prokurorinë për identifikonin e personave përgjegjës dhe ngritjen e akuzave ndaj individëve që mund të jenë përfshirë në indoktrinimin dhe nxitjen e ekstremizmit ndaj shqiptarëve që kanë braktisur vendin hetim që ka nisur që ne vitin 2016 me arrestimin e disa personave por që vijon të mbetet i hapur.
Nga 2 operacionet e fundit të riatdhesimit kanë mbërritur në Shqipëri deri tani 24 persona, mes të cilëve shumica fëmijë dhe pjesa tjetër gra. Ndërkohë që edhe rreth 30 shtetas të tjerë ndodhen në kampet e Sirisë. Aktualisht nuk ka një operacion aktiv për riatdhesimin e atyre që kanë mbetur, pasi ende nuk janë krijuar kushtet e favorshme për transferimin e personave.
