Shkodër, kapen 286 kg kanabis i njomë. Në Lushnje policia i pret pazarin e drogës në shtëpi grupit kriminal
Një sasi prej 286 kilogramë kanabis i njomë është sekuestruar sot në Shkodër në kuadër të operacionit policor “rapshi”
Policia arrestoi Kastriot Guraj, 44 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër,i dënuar më parë për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshem të kufirit”.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se disa persona kishin kultivuar bimë narkotike canabis sativa, në zonën Rapshë, Malësi e Madhe, dhe po e transportojnë në drejtim të Vermosh-Koplik– Shkodër, shërbimet e Policisë në fshatin Rapshë gjatë orëve të vona të natës kanë ndërhyrë për të bërë të mundur bllokimin e mjetit që tranportonte lëndën narkotike në gjendje të njomë.”
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë si bashkëautorë në këtë veprimtari kriminale.
Operacioni u ndërmor nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësia e Madhe.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale ”Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “Kultivim i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.
Kanabisi ne Lushnje
Një 63 vjeçar nga Mërtishi në Lushnje e kishte kthyer banesën në një magazinë të lëndëve narkotike që shpërndahej nga dy djemtë e tij dhe një një shok të tyre.
Por veprimtaria e paligjshme ishte zbuluar dhe forcat e policisë mësynë në banesë dhe i kapën me drogë në dorë.
Sipas policisë ata vepronin në formën e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve.
Si provë në e Ligor Mihalit u gjet një sasi lëndë narkotike kanabis dhe 800.000 lekë, të cilat dyshohen se janë përfituar nga shitja e drogës.
Po ashtu u sekuestrua automjeti tip furgon me të cilin dyshohet se këta shtetas kryenin transportin e lëndës narkotike.
Policia nuk bën të qartë sasinë e kanabisit të sekuestruar por thotë se këta shtetas u kapën në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë në fshatin Mërtish, në banesën e shtetasit Ligor Mihali me një sasi lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa dhe 800.000 lekë të rinj të cilat dyshohen se janë përfituar nga ky aktivitet kriminal.
Gjatë operacionit të koduar "Mërtishi" u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Ligor Mihali, 63 vjeç, Julian Mihali, 37 vjeç, Ermal Mihali, 35 vjeç, të tre banues në Mërtish dhe Edi Dhori, 40 vjeç, banues në Divjakë. Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre aparate celularë dhe automjeti tip furgon me të cilin dyshohet se këta shtetas kryenin transportin e lëndës narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.