Sot 20 vjet nga masakra e Lubotenit, u vranë 10 shqiptarë mes tyre Erxhani vetëm 6 vjeç

Sot shënohen 20 vjet nga masakra e Lubotenit, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë dhjetë civilë shqiptarë.

Mëngjesin e 12 gushtit 2001, u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në Luboten, ku u vranë fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili.

Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në këtë fshat të Shkupit ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.


Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte. Për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.