G7 dënon sulmin e anijes

Sulmi me armë e anijes së transportit të naftës më në ujërat e Omanit vazhdon të sjellë përplasje edhe pse po kalojnë dy javë nga ngjarja.

Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara dënoi ngjarjen dhe përmes një deklarate për mediat shprehet se të gjitha dëshmitë tregojnë se pas incidentit qëndron irani.

Më 29 korrik, në sulmin ndaj cisternës së naftës Mercer Street u vranë një britanik dhe një rumun.

 “Ky ishte një sulm i qëllimshëm dhe qartësisht shkelje e ligjit ndërkombëtar. Të gjitha të dhënat qartësisht thonë se Irani qëndron prapa këtij sulmi. Nuk ka asnjë justifikim për këtë sulm”, u tha në deklaratë.

G7 po ashtu tha se “sjellja e Iranit, së bashku me mbështetjen që u ofron fraksioneve të armatosura, kërcënojnë sigurinë dhe paqen ndërkombëtare”.

Cisterna e naftës  menaxhohet nga një firmë që është në pronësi të një miliarderi nga Izraeli. Më herët Shtetet e Bashkuara dhe Britania po ashtu kanë fajësuar Teheranin për sulmin, por ky i fundit ka mohuar të gjitha akuzat.

Tensionet në Gjirin Persik janë rritur që prej se SHBA-ja rivendosi sanksionet ndaj Iranit më 2018, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.