Zjarret në kufi me Parkun, Llogaraja rrezikohet më shumë se çdo ditë tjetër. Në Gjorm evakumi i detyrueshëm
Duket se ka rënë intensiteti i zjarrit që ka përfshirë fshatin Gjormë duke djegur edhe banesa.
Në një prononcim për median rreth orë 16:00 ministri i Mbrojtjes foli për një situatë më në kontroll në fshatin Gjormë të Vlorës. Vatrat nuk janë më agresive sesa para një ore megjithatë rreziku vijon pasi erërat janë tepër të forta.
Prej ditësh Ora News ka ndjekur nga afër dhe ka përcjellë me transmetime live të gjithë zhvillimet në Karaburun i cili prej ditësh është përfshirë nga flakët. Grupi i xhirimit i Ora News, me gazetar Edi Ruçin e kameraman Besmir Koçiraj ka qenë gjithë ditën sot në fshatin Gjormë ku ishin dhe vatrat më të mëdha të zjarrit, u dogjën disa banesa dhe u urdhërua evakuimi i banorëve.
Ministri këmbëngul tek evakuimi i banorëve
“Duhen evakuar deri në minutën e fundit. Nuk është e thjeshtë. Sepse edhe kur janë të rrethuar nga zjarri banorët që kanë gjënë të gjallë nuk pranojnë të largohen. Banorët duhen larguar qoftë edhe me forcë” tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili ishte atje për të ndjekur nga afër situatën.
Situata
Për shuarjen e flakëve në Gjormë është punuar me intensitet me 2 helikopterë tani po punon 1 helikoper por që është shumë efektiv informoi ministri i cili ndodhet në terren për të menaxhuar situatën.
“Kemi patur prekje banesash, por nga informacionet operative nuk raportohet të kenë pasur banorë. Janë shtëpi të vjetra. Po luftojmë për të shmangur zjarrin nga banesat e fshatit Gumenicë poshtë. Forcat e policisë po evakuojnë banorët.
“Kemi forca mjaftueshëm për ta mbajtur nën kontroll zjarrin” tha Peleshi.
Por rreziku vijon
“Sidomos sot nuk mund të flitet për vendosje përfundimtare nën kontroll për shkak të erërave të forta” tha Peleshi.
Me sytë nga Llogaraja
Vëmendjen e përqëndron tek parku i Llogarasë dhe Karaburun, ku erërat janë shumë më të forta se ditët e tjera.
“Jemi në frontin e kufirit me Parkun e Llogarasë. Gjatë gjithë natës kemi psaur 30 forca që kanë kaluar natën shumë pranë rrezikut. Sot është nisur një grup tjetër i madh në këmbë drejt frontit. Presim të krijohen kushte të favorshme për të dislokuar me helikopter trupat tona ushtarake.
Nuk kemi mundur të bëjmë fluturime me kovë me ujë pasi e ka qenë e pamundur.
Në momentin kur moti të rezultojë i favorshëm helikopteri do të çojë trupa dhe kova me ujë.”
Sot Llogaraja rrezikohet më shumë se çdo ditë tjetër, thotë ministri.
Shpresa
Dy helikopterë pritet të nisin pasnesër në mëngjes fluturimet për shuarjen e flakëve,ndërkohë që autoritet shqiptarë po këmbëngulin që kjo të bëhet edhe më herët.
Zvicra e Çekia janë ofruar për të bashkëpunuar.
Po rajoni?
“Kryeministri edhe sot ka përsëritur thirrjen në rajon për ndihmë por dhe ata janë në situate të vështirë” tha ministri Peleshi.
Vatrat e zjarrit në Karaburun vijojnë prej ditësh.