”Situatë e vështirë” në Gjorm të Selenicës: Të gjithë banorët të evakuohen sa më shpejt!
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është zhvendosur në Gjorm të Selenicës ku një zjarr masiv është përhapur.
Ai i ka bërë thirrje banorëve që të zbatojnë urdhrat e strukturave të Mbrojtjes Civile për evakuim.
Ai thotë se janë 40 trupa që po punojnë bashkë me një helikopter nga ajri.
Peleshi tha se situata më e vështirë paraqitet në Vlorë, pikërisht në zonën e Karaburunit.
"E kam ritheksuar nevojën për evakuim sa më të shpejtë të të gjithë njerëzve. Së pari të mbajmë larg rrezikut njerëzit dhe më pas pasuritë e tyre. Kemi sjellë 2 zjarrfikës nga Forcat e armatosura, një tjetër po vjen nga bashkia e Vlorës, 40 trupa mbërrijnë nga FA dhe shpresojmë dhe po punojmë që të shmangim më të keqen këtu.
Jemi në mes të situatave të rrezikshme, kryesisht në qarkun e Vlorës, por edhe në gjithë Shqipërinë kemi shtrirje.
Sot jemi të angazhuar dhe të shqetësuar dhe me pak mundësi për të ndërhyrë në pjesën e Karaburunit, në kufi me parkun e Llogarasë. Beteja jonë më e nxehtë ka qenë aty për të shmangur prekjen e parkut," tha Peleshi.

