Sejko: Ekonomia u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, punësimi dhe pagat me probleme

Në një konferencë për shtyp guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh se ekonomia e vendit tonë po rikuperohet me ritme të shpejta.

Sipas Sejkos, ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë.

Sejko: Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se faktorët mbështetës të rritjes ekonomike janë forcuar gjatë tremujorëve të fundit. Po ashtu, perspektiva e zhvillimeve ekonomike ka ardhur drejt përmirësimit dhe rreziqet e kahut të poshtëm, ndonëse të pranishme, kanë ardhur drejt zbehjes. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, se pasojat e pandemisë në ekonomi vijojnë të jenë prezente, dhe se rritja ekonomike vijon të kërkojë mbështetje nga një miks stimulues politikash monetare e fiskale. Ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritshmëritë tona. BSH gjykon se rritja e qëndrueshme punësimit dhe pagave do të ndjekë zgjerimin e kërkesës për mallra dhe shërbime. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7%.

Guvernatori shtoi se përmirësimi ekonomik ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumit dhe përmirësimit me situatën e pandemisë, por ngriti shqetësimin për nivelin e lartë të papunësisë.

Sejko: Tregu i punën ka ecuri të plogësht në tremujorin e parë, niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar para pandemisë, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të zbehta. Rritja e qëndrueshme e pagave dhe punësimit do të ndjekë me vonesë kohore zgjerimin e kërkesës për mallra dhe shërbime. Këshilli Mbikëqyrës thekson se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes duhet të risjellin në fokus të vendimmarrësve nevojën e përshpejtimit të agjendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.