Ambasada e SHBA-ve: Lutjet tona shkojnë me të prekurit nga zjarret, kemi dhuruar pajisje

Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve që ka përfshirë Shqipërinë, duke shënuar edhe një viktimë.

Përmes një postimi në Facebook, ambasada shkruan se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqipërisë në kohë nevoje.

Po ashtu, ambasada shton se Forcave të Armatosura Shqiptare po përdorin pajisje të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara ndërsa luftojnë me zjarret në jug të vendit.

Ambasada e SHBA-ve: Lutjet tona shkojnë për ata që janë prekur nga vatrat e zjarreve në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të qëndrojnë gjithmonë krah Shqipërisë në kohë nevoje. Në këtë video, burrat dhe gratë e guximshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare përdorin pajisje të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara ndërsa luftojnë me zjarret në jug të vendit. Pajisjet për shuarjen e zjarrit janë pjesë e një dhurimi prej 360,000 dollarësh të bërë nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara në vitin 2019. Ato përfshinin "kova Bambi", kostume zjarrfikësish, sëpata, lopata dhe pajisje personale mbrojtëse. "Kovat Bambi", të përdorura në këtë video, mbajnë ujë nëpërmjet helikopterëve dhe u mundësojnë atyre të mbushin sasi të mëdha në kohë të shkurtër, në mënyrë që të shuajnë zjarrin.