Banorja tregon si vdiq 60-vjeçari nga zjarri: Ra nga shkallët, shkoi gruaja për ta ndihmuar, por s'ia doli

Një banore në fshatin Asim Zeneli në Gjirokastër, ka treguar detaje në lidhje me vdekjen e 60-vjeçarit, Andrea Haxhiaj, si pasojë e asfiksimit.

Në një audio-mesazh të siguruar nga Ora News, ajo shprehet se ai ka qenë në oborr të shtëpisë, dhe si pasojë e asfiksimit, ka rënë nga shkallët. Sipas saj Haxhiaj ka thirrur bashkëshorten që të shkojë ta ndihmojë.

Kjo e fundit ka shkuar për të ndihmuar por që nuk ia ka dalë, e si pasojë edhe ajo vetë është lënduar. Sipas banores ajo është nisur me urgjencë në spital dhe aktualisht ndodhet në reanimacion.

“Kjo është zona ku ka rënë ai që vdiq, ajo që duket është shtëpia, ai ka qenë në shkallë dhe ra poshtë. Ra gruaja për ta ndihmuar sepse thërriste por nuk ia doli dot as ajo. Ajo u asfiksua, erdhën e mori ambulanca, është në spital në reanimacioni. Burri ra nga lartësia aty.”- shprehet ajo.