Zaevi fton Kurtin dhe liderët tjerë ballkanikë t’i bashkohen atij, Ramës dhe Vuçiç për bashkëpunim rajonal
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës së tij, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për bashkëpunimin rajonal, të njohur si “mini-Schengen”.
Kësaj nisme sot iu ndryshua edhe emri, ndërsa Zaev u bëri thirrje liderëve ballkanikë që ta krijojnë një vizion të përbashkët për zhvillimin e këtij rajoni.
“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë.Emri i ri pasqyron realitetin e ri i cili pasqyrohet nga të gjithë ne”.
Kryeministri maqedonas tha se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i japin impuls të ri hapësirës së tregut të lirë ekonomik.
"Këtë që e ndërtojmë sot del nga vlerat evropiane për shkak se në vete në themelet e saj përmban të gjitha katër liritë e Bashkimit Evropia. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi përfundimtar është të arrijmë “no stop-just go”, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, dhe të shpresojmë edhe për vendet tjera. Me harmonizimin e politikave të investimeve do të krijojmë një potencial të zhvillimit në rajon".
Sipas Zaev, ky bashkëpunim rajonal mund të kontribuojë edhe në relaksimin e marrëdhënieve në rajon.
Zaev nënvizoi se vonesat në zgjerimin e BE dhe mos-liberalizimi i vizave për Kosovën janë kundër idesë së BE-së.
“Ne nuk mund të presim që të gjitha problemet e brendshme të Bashkimit Evropian të zgjidhen, që ne, qytetarët tani dhe ekonomia jonë të shkojë përpara. Mos-suksesi i BE-së për të përmbushur premtimet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe hapjen e kapitujve të parë me Malin e Zi dhe Serbinë, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, është kundër idesë së BE-së".
Kosova ishte zotuar në marrëveshjen e Ëashingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.
Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.
“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti.

