Ambasadori i BE në Beograd: S’ka BE për Serbinë pa dialog me Kosovën
Serbia mund ta harrojë integrimin e saj në Bashkimin Europian nëse nuk gjen dot rrugën e dialogut me Kosovën. Deklarata vjen nga Ambasadori i BE-së në Beograd, Sem Fabrizi, i cili thekson se tashmë dihen kushtet për Serbinë: dialogu me Prishtinën, sundimi i ligjit, reformat ekonomike, janë gjëra për të cilat duhet të punojë qeveria e Serbisë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Beograd, Sem Fabrizi, tha se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është një element kyç për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë dhënë për Radio-Televizionin e Serbisë, kreu i diplomacisë europiane në Serbi u shpreh se raundi i fundit i dialogut mund të ketë qenë më i vështiri nga të vështirët, por tha ai, të dyja palët duhet t’i përkushtohen atij.
Ambasadori Fabrizi u shpreh se dialogu është një element kyç për stabilitetin rajonal dhe pranimin e Serbisë në BE.
Raundi i fundit i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u zhvillua më 19 korrik në Bruksel. Palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të vullnetit që procesi të ecë përpara.
Megjithatë, ato u pajtuan që t’i vazhdojnë bisedimet në shtator. Fabrizi tha se kushtet që Brukseli ia ka vënë Serbisë për anëtarësim në BE, janë konstante dhe nuk ndryshojnë.
Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.
Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit i ka hapur edhe Mali i Zi.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
