Kthehen në Kosovë 21 të mbijetuar nga aksidenti, 15 po trajtohen në spitalin kroat, një në koma

15 qytetarë që mbetën të plagosur në aksidentin rrugor në Kroaci ku humbën jetën 10 persona po vijojnë trajtimin në spitalin  e Slavonski Brod.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media tha se dy prej tyre janë në njësinë intensive, njëri prej të cilëve në gjendje kome.

“15 bashkatdhetarët të cilët po trajtohen në Slavonski Brod, të gjithë janë në gjendje stabile përveç dy prej tyre që janë në njësinë intensive të këtij spitali ku njëri është në koma dhe tjetri është në gjendje stabile për jetë ndërsa njëri nga pacientët është transferuar në Zagerb ku është dyshuar për probleme neurologjike por gjendja e saj është stabile dhe nevojitën edhe disa ditë që të rikuperohet”, është shprehur Vitia.

Vitia tha se në autobus udhëtonin 67 qytetarë. 43 prej tyre janë hospitalizuar ndërsa të tjerët kanë qenë pa lëndime dhe janë vendosur në ambiente të përshtatshme nga autoritetet kroate.

21 të mbijetuar nga aksidenti tragjik mbërritën mbrëmë në Kosovë, ku u pritën nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Një grua u dërgua në QKUK, pasi kishte pasur shqetësime edhe para fluturimit.

“Një rast është në QKUK i cili ka pasur shqetësime edhe para fluturimit dhe lëndime të lehta por kur ateruam në aeroport shfaqi disa shqetësime dhe ekipi mjekësor e dërgoi në QKUK por se gjendja e saj është stabile dhe sonte pritet që edhe ajo të shkojë në shtypi”, tha Vitia.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm pritet të mbërrijnë në Kosovë trupat e pajetë të dhjetë qytetarëve që humbën jetën.

Dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën të dielën, kur autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod të Kroacisë.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Shoferi u ndalua në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Kthehen në Kosovë 21 të mbijetuar nga aksidenti, 15 po trajtohenKthehen në Kosovë 21 të mbijetuar nga aksidenti, 15 po trajtohen