Zaev si Rama: Bashkimi Evropian kur të vendosë për ta vazhduar procesin të na lajmërojnë

Kryeministri Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka folur ditën e sotme për procesin e integrimit, duke thënë se kur BE të vendosë për këtë proces le ta lajmërojë shtetin e tij.

Zaev nga ana tjetër nuk deshi të komentojë deklaratën e presidentit bullgar Rumen Radev, i cili në prag të vazhdimit të bisedimeve për zgjidhjen e kontestit me Shkupin tha se në Maqedoninë e Veriut shkelen të drejtat e komuniteteve pakicë.

Po ashtu, Zaev tha se Qeveria është e përkushtuar evropianizimin e vendit dhe se po vazhdojnë me proceset e kësaj agjende.

Zaev: Kjo është punë e Bashkimit Evropian, kur të vendosin për ta vazhduar procesin, le të lajmërohen. Në ndërkohë ne vazhdojmë me evropianizimin këtu. Kemi procese serioze në agjendën Evropa në Shtëpi, që do të thotë edhe unifikimin e tarifës së doganave, ja sot në qeveri është faza e parë ndërsa vazhdojnë konsultimet, ku do t’i barazojmë të gjitha doganat në nivelin e Bashkimit Evropian. Kjo është pjesë e kapitujve, ne tashmë po e bëjmë.