Ben-Meir: Kosova të ketë kujdes nga agjenda islamike e Erdoganit

Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir, është shprehur se se institucionet e Kosovës duhet të tregohen të kujdesshme me iniciativën e presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili ditë më parë tha se së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, do të angazhohet që të rrisë numrin e shteteve për të njohur Kosovën. 

Në një intervistë që ka bërë për Radio Evropa e Lirë, ai u shpreh se Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së këtij shteti si dhe agjendës islamike të Erdoganit.

Pjesë nga intervista: 

Pyetje: Para pak ditësh presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se do të fillojë një iniciativë që së bashku me presidentin amerikan, Joe Biden, të sigurojnë njohje të reja për Kosovën. Pse beson se erdhi deri te kjo iniciativë dhe pse pikërisht tani?

Alon Ben-Meir: Çdokush që e mbështet apo që bën fushatë për t’i shtyrë shtetet e tjera që të njohin Kosovën, është i mirëseardhur. Por, sido që të jetë, unë kam dyshime serioze sa i takon synimeve të (Recep Tayyip) Erdogan dhe Turqisë. Presidenti Erdogan është një narcizist, egocentrik, nacionalist islamik dhe ndoshta çfarë dëshiron të bëjë është që të promovojë agjendën e tij dhe krejt çfarë mund t’i them popullit të Kosovës është se është shumë në rregull të kesh raporte të mira me Turqinë, por Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet agjendës së Erdoganit si dhe agjendës së tij islamike. Ky do të ishte gabim. Kjo është ajo që Turqia po bën sot, duke u përpjekur të tregojë që e mbështetë Kosovën, por në të njëjtën kohë Erdogani dëshiron të marrë diçka nga Kosova. Këtu i këshillojë njerëzit që të jenë të kujdesshëm sesa mund t’i besohet Erdoganit.

Kujtojmë se pak ditë më parë në një deklaratë që bëri për mediat, tha se duhet të punojmë së bashku në mënyrë që të rrisim numrin e shteteve për të njohur Kosovën si shtet i pavarur, deklaratë e cila ngjalli reagime edhe në Serbi.