Aksidenti tragjik/ Nënë e bijë nga Gjakova në mesin e viktimave, shpëtuan dy vajzat e tjera

Në mesin e 10 viktimave të aksidentit të rëndë rrugor që u shënua dje në Kroaci janë edhe nënë e bijë nga fshati Devë i Gjakovës.

Erlinda Binakaj, 19 vjeçare si dhe e ëma, Valentina Binakaj, 45 vjeçare humbën jetën ndërsa arritën të shpëtonin dy vajzat e tjera.

Dy vajzat ndodhen në spitalin rajonal të Slavonski Brodit, dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në spitalin e Slavonski Brod, në Kroaci, Josip Samarxhiç, tha për mediat vendase se 2 nga të plagosurit janë në gjëndje kritike për jetën.

Gjatë ditës ata do të transferohen në Zagreb ndërsa disa të tjerë do të dalin nga spitali.

Po kështu gjatë ditës së djeshme 6 persona iu nënshtruan operacionit kirurgjikal.

“Pacientët ende po mbahen nën vëzhgim, ndërsa disa prej tyre do të dalin nga spitali mëngjesin e sotëm” tha Samarxhiç.

Dhjetë persona humbën jetën ndërsa dhjetra u plagosën pasi autobusi që udhëtonte nga Frankfurti në Prishtinë doli nga rruga dhe u përmbys në autostradën  A3 Bregana-Lipovac të dielën e 25 korrikut, 2021

Sipas ministrit kroat të Shëndetësisë, Ëilly Beros, në autobus ishin 69 pasagjerë përfshirë dhe 2 shoferët dhe 15 minorenë, një prej tyre ka dëmtime të rënda.

Një nga shoferët humbi jetën në aksident ndërsa shoferi tjetër është arrestuar.

Ky i fundit, ishte në timon në momentin kur ndodhi aksidenti dhe i ka thënë policisë se e kishte zënë gjumi në një moment.