Aksidenti me 10 të vdekur në Kroaci, Kurti: Tragjedi e rëndë për popullin shqiptar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë në një deklaratë për mediat, pasi ka vizituar të lënduarit në aksidentin tragjik në Kroaci, mëngjesin e ditës së stome.
Sipas mediave kosovare, Kreu i Qeverisë në Kosovë ka thënë se kjo është një ditë e rëndë për mbarë popullin shqiptar. Më tej ai ka falënderuar edhe homologun e tij kroat, Andrej Pelenkoviç dhe qeverinë atje, për ndihmën e dhënë ndaj të lënduarve shqiptarë.
“I vizitova pacientët në dhomat e spitalit. Falënderoj profesionistët shëndetësorë për kujdesin e treguar dhe angazhimin e pakursyer. Qindra mijëra qytetarë të vendit tonë kthehen për pushime në vendlindje. Shteti dhe mirëqenia jonë, ajo çfarë e kemi, varet shumë prej tyre, prandaj kjo tragjedi është tepër e rëndë për ne”, tha ndër të tjera Albin Kurti.
Autobusi me targa kosovare ishte nisur nga Gjermania për në Kosovë, por u aksidentua në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona, 44 të lënduar dhe 15 prej këtyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

