Shaqiri i “shkel syrin” Lazios: Tare më vlerëson, më intrigon një trajner si Sarri
Lazio po kërkon përforcime dhe Xherdan Shaqiri mendon të largohet nga Liverpooli. Rrugët e tyre mund të bashkohen në Romë me lojtarin shqiptar nën urdhrat e trajnerit të ri Sarri te Lazio ku një lojtar si Xherdani po kërkohet prej kohësh nga Igli Tare.
Vetë lojtari i Liverpool e pranon se do t’i pëlqente të luante sërish në Serinë A dhe me fanellën e Lazios e për më tepër me një trajner sulmues si ai.
“U kam thënë drejtuesve të Liverpoolit se jam gati për një sfidë të re. Nuk kam marrë oferta konkrete ende nga asnjë ekip. Lazio? Është një klub i lartë ku Tare po bën një punë të shkëlqyer. Nëse është e vërtetë që ai më vlerëson si lojtar, unë jam i nderuar. Sarri? Më pëlqen futbolli i tij sulmues. Do të ishte intriguese të punoja me të dhe nga ana ime jam gati për një aventurë të re”.
Më hapur se kaq nuk mund të shkojë ftesa për Lazion dhe Igli Taren i cili e pëlqen Shaqirin por ka ende disa zgjedhje për repartin e sulmit.
Në rast të rikthimit të Xherdan Shaqirit në Serinë A do të kishte edhe një duel direkt me mikun e tij, Granit Xhaka i cili është pranë kalimit te Roma, rivalët e përjetshëm të Lazios.
