Premier League, në stadiume do të lejohen vetëm tifozë të vaksinuar

Premier League që nis së shpejti është i pari mes kampionateve të mëdha të Europës që e ka bërë me detyrim vaksinimin me të dyja dozat për lojtarët dhe stafet teknike.

Jo vetëm kaq, tashmë diçka e tillë do të shtrihet edhe te tifozët teksa qeveria britanike thuhet të jetë në negociata me Premier League për të ndaluar hyrjen në stadiume për njerëzit e pavaksinuar.

Duke nisur nga tetori, ndeshjet e Premier League mund të jenë të hapura vetëm për njerëzit e vaksinuar plotësisht ndërsa negociatat po vazhdojnë për të rregulluar kuadrin ligjor që do ta mundësojë diçka të tillë. Bisedimet do të përcaktojnë nëse spektatorët që nuk kanë marrë dy doza mund të ndalohen të hyjnë në stadiumet e skuadrave të tyre apo jo teksa ky rregull mund të shtrihet edhe në divizione më të ulëta dhe sporte të tjera në Angli.

Një masë e tillë, jo vetëm që do të lejojë që stadiumet të jenë me kapacitet të plotë, por nga ana e qeverisë shpresohet që gjithashtu do të ketë përfitimin sepse tifozët e futbollit e jo vetëm të të gjitha moshave të nxiten që të shkojnë për t’u vaksinuar.

Kujtojmë që aktualisht në stadiumet angleze nuk ka asnjë kufizim për momentin për vaksina e ndërkohë impiantet mund të mbushen plot dhe rregulli që pritet të miratohet do të hyjë në fuqi në Tetor atëherë kur edhe situata nga covid mund të ketë përkeqësim.