Njeriu që kërcënoi të vrasë vëllanë është Gazmend Merkaj, në 2018 foli në prokurori për të zhdukurit e Vlorës
Gazmend Merkaj, është personazhi i arrestuar dje në Vlorë, i cili kërcënoi se do vriste me hanxhar vëllanë e tij. Merkaj është një person mjaft i dëgjuar në Vlorë, për shkak se ishte njeriu që vendosi të bashkëpunojë me prokurorinë dhe policinë e Fierit, duke treguar detaje mbi zhdukjen e Albano Xhaferaj dhe disa personave të tjerë në qytetin e Vlorës.
Gazmend Merkaj, u vetëdorëzua në 1 gusht 2018 në Policinë e Fierit, vetëm pak orë pasi kishte raportuar në policinë e Vlorës se në automjetin e tij tip BMË ishte vendosur një sasi eksplozivi. Por pas mbërritjes së forcave xheniere dhe kontrollit fizik të makinës, pas pesë orësh u konstatua se automjeti ishte i pastër. Pas kësaj ngjarje Merkaj, është paraqitur në Policinë e Fierit, ku ka dorëzuar një pistoletë që kishte pa leje dhe ka shfaqur gatishmërinë për të treguar një krim të rëndë, siç është vrasja dhe zhdukja e të riut Albano Xhaferit në Vlorë.
Ky i penduar ka treguar se e ka ndjerë veten të kërcënuar për t’u vrarë, nga anëtarët e një grupi kriminal në Vlorë dhe më konkretisht nga, Edison Harizaj, Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj. Gazmend Merkaj, përfundimisht u dënua nga gjykata e Fierit me dy vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.