Kandidojnë për prokurorë të SPAK, Adnan Xholi dhe Dorina Bejko intervistohen nesër nga KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë nesër intervistat me dy kandidatët për dy vende në SPAK.

Intervistat do të zhvillohen tek Poli i Drejtësisë, duke filluar nga ora 9.00, dhe do të zgjasin rreth 30 minuta për secilin kandidat, të regjistruara me audio dhe video.

Me 18 maj të këtij viti, KLP shpalli dy vakanca për ngritjen në detyrë të prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme.

Brenda afatit të përcaktuar, shprehën interes dy kandidatët z. Adnan Xholi dhe znj. Dorina Bejko.

Pas verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore nga ana e Komisionit të Posaçëm për ngritjen në detyrë si prokurorë në SPAK, Këshilli miratoi me vendim nr.195, datë 9 qershor listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe mund të vazhdojnë procesin e vlerësimit e kritereve të posaçme etike dhe profesionale si më poshtë:

1. Adnan Xholi

2. Dorina Bejko.