Dosja 184 “ngec për vjeshtë”, shtyhet vendimi për dy të akuzuarit e dosjes së bujshme “184”
Gjykata e Dibrës shtyu për më 8 shtator shpalljen e vendimit për dy nga 4 ish-zyrtarët e hetuar si pjesë e dosjes 184 për shitblerjen e votave në zgjedhjet vendore të vitit 2016. Mungesa e avokatëve për herë të dytë bëri të dështojë seanca për ish drejtuesin e arsimit Drini Gjeci dhe funksionarin vendor Nuri Meda të cilët u gjykuan me procedurë të shkurtuar.
Gjykata e Dibrës ka shtyrë për të disatën herë vendimin për dy nga katër zyrtarët e akuzuar në kuadër të dosjes së bujshme 184, për shitblerjen e votës në zgjedhjet vendore të vitit 2016.
Vendimi që pritej të jepej të enjten e 22 korrikut, është shtyrë për me datën 8 shtator.
Gjykimi ka përfunduar dhe pritet tanimë vetëm verdikti për ish drejtorin e Arsimit, Drini Gjeci, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe Nuri Medën zyrtar në njësinë administrative Tomin, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Këta të fundit kishin kërkuar gjykim të Shkurtuar ndërsa prokuroria ka kërkuar nga 2.5 vite burg për secilin në përfundim të hetimeve.
Dy të akuzuarit u paraqitën para Togave të Zeza në orën 13:30 të kësaj të enjte, ndërsa në gjyq munguan avokatët mbrojtës, arsye kjo që çoi në vendimin për shtyrjen e gjyqit për në shtator, pasi në Gusht gjykata është me pushime.
I akuzuari tjetër në të njëjtën dosje, Robert Aga ish shef-komisariati në Dibër, akuzuar për shpërdorim detyre, dhe Hasan Hoti, funksionar në njësinë administrative Lure akuzuar për kanosje të zgjedhësve kanë zgjedhur gjykim me procedurë normale.
Pjesë e dosjes së bujshme 184 ishte edhe Dionis Imeraj, ish kryebashkiak I Dibrës dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit, por çështja ndaj ti u pushua, ashtu si për Imer Lalën, Arben Keshin, Bekim Krashin, e Afrim Miklin.
Prokuroria vendosi se të gjithë ata kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës, por nuk mund të mbajnë përgjegjësi penale pasi kishte kaluar afati 3 vjeçar I konsumimit të veprës penale.
Dosja "184" u regjistrua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, për shitblerje të votës në zgjedhjet e Dibrës, kur fitues doli Muharrem Rama i PS-së përballë Sherefedin Shehut të PD.
Dosja u transferua disa here nga SPAK ne Dibër ndërsa pas katër vitesh më në fund u dërgua në gjykatë.

