Mjekët në Britani paralajmërojnë protesta: Rritja 3% e rrogës është tallje
Sindikata britanike e mjekëve e ka cilësuar “tallje” faktin që qeveria do ta rrisë vetëm me 3% rrogën bluzave të bardha.
Sipas sindikalistëve, kjo është mosmirënjohje për punën vetëmohuese që bëjnë ushtarët e frontit të parë gjatë pandemisë së Koronavirusit.
Mediet britanike shkruajnë se sindikatat kanë kritikuar ashpër ministrat për mënyrën se si e trajtojnë këtë çështje.
Më herët qeveria ishte nën sulmin e sindikalistëve për rekomandimin që kishte bërë për një rritje page prej 1%.
Autoritetet britanike kanë njoftuar se rritja e pagës ka hyrë në fuqi, dhe përfshin infermierët, ndihmësmjekët, konsulentët, dentistët dhe mjekët e përgjithshëm.
Kryeministri Boris Johnson shkroi në Twitter të mërkurën në mbrëmje: "Stafi ynë i mjekësor ka qenë heroik gjatë gjithë pandemisë, duke siguruar kujdes dhe duke shpëtuar jetë. Për të njohur kontributin e jashtëzakonshëm që ata kanë dhënë ata po marrin një rritje page prej 3% këtë vit."
Laburistët ndërkaq akuzuan qeverinë se ka sjellë "më shumë kaos dhe konfuzion" pasi Ministrja e Shëndetësisë, Helen Whately, nuk e përmendi fare rritjen e pagës gjatë fjalës së saj fillestare në Parlament të mërkurën.
Sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e shëndetësisë ndërkaq janë shprehur njëzëri se janë të vendosur për të reaguar për këtë rritje prej 3%.
Rritja e rrogës në këtë masë do të thotë se një "infermier mesatare" do të marrë një shtesë prej 1,000 £ në vit, ndërsa sanitaret do të marrin rreth 540 £ në vit më shumë.

