Programi “Pegasus” përpos presidentit Macron përgjon edhe dhjetëra gazetarë e lidera botërorë
Programi izraelit “Pegasus” dyshohet se është përdorur për të përgjuar me dhjetëra lidera botërorë, mes të cilëve edhe presidentin francez Macron. Janë mijëra gazetarë të përgjuar, që ka sjellë edhe një reagim të fortë nga komuniteti mediatik për këtë operacion të gjerë spiunimi dhe vjedhjeje të dhënash.
Skandali me programin e përgjimit “Pegasus” të kompanisë izraelite, ka përfshirë edhe disa prej politikanëve më të rëndësishëm në botë. Presidenca franceze ka reaguar se nëse telefoni i presidentit Macron është përgjuar, kjo do të ishte një çështje shumë serioze, ndërsa janë zotuar që autoritetet do ta çojnë punën e tyre deri në fund.
Media franceze “Le Monde” tha se, sipas burimeve, një nga numrat e telefonit të Macron, të cilin ai e kishte përdorur rregullisht që nga viti 2017, është në listën e numrave të zgjedhur nga shërbimi i inteligjencës së Marokut për spiunim të mundshëm kibernetik.
Maroku ndërkaq ka mohuar çdo përfshirje në përdorimin e programit Pegasus dhe duke hedhur poshtë ato që i quajti "akuza të pabazuara dhe të rreme". Ish kryeministri francez Edouard Philippe dhe 14 ministra ishin gjithashtu në shënjestër në 2019, shkruan Le Monde.
Media amerikan Washington Post radhit ndërkaq edhe emrat e politikanëve të tjerë që mund të jenë përgjuar.
Kryeministri Pakistanez Imran Khan, Presidenti i Kazakistanit, Presidenti i Afrikës së Jugut, ai i Irakut dhe mbreti i Marokut janë gjithashtu në listë, mes rreth 1000 gazetarëve dhe qindra biznesmenëve të tjerë, raporton Ëashington Post.
Reagimet nga komuniteti i gazetarëve kanë qenë të forta. Numrat e telefonit të udhëheqësve botërorë dhe të gazetarëve u gjetën në një listë me 50,000 numra telefoni që besohet se janë identifikuar si njerëz me interes nga klientët e Kompanisë izraelite NSO që nga viti 2016.
Kompania izraelite ndërkohë ka reaguar duke i hedhur poshtë këto raportime të medieve, duke thënë se janë "plot supozime të gabuara dhe teori të pakonfirmuara".
Për rastin ka reaguar edhe kryetarja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen që e cilësoi shumë të rëndë këtë spiunim nëse do të vërtetoheshin dyshimet.
