Lojërat olimpike Tokio 2020, humor me Holokaustin, shkarkohet shefi i ceremonisë hapëse

Edhe pse 23 vjet më parë, një deklaratë me humor për Holokaustin i ka kushtuar vendin e punës shefit të ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020. Kobajashi kërkoi falje publike për humorin e tij, por kritikët janë shprehur se askush nuk ka të drejtë të tallet me viktimat e gjenocidit nazist.

Një humor i bërë në fillimvitet ’90 i ka kushtuar vendin e punës shefit të protokollit për Ceremoninë Hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020.

Kentaro Kobayashi humbi vendin e tij të punës këtë të mërkurë, vetëm dy ditë përpara se të nisin zyrtarisht lojërat olimpike.

Seiko Hashimoto, i caktuar nga qeveria si kreu për t’u marrë me Lojërat Olimpike tha se videoja që doli në media përqesh "faktet e dhimbshme të historisë".

Kentaro Kobayashi ndërkohë ka kërkuar falje publike për humorin e tij në të shkuarën. “Unë e kuptoj që zgjedhja ime e pamenduar e fjalëve në atë kohë ishte e gabuar, dhe pendohem për të," tha ai.

Humori apo mohimi i Holokaustit përbën shkelje ligjore në vende të ndryshme të botës. Përgjatë gjenocidit të Holokaustit humbën jetën 6 milion hebrenj si pasojë e nazizmit dhe askush nuk ka të drejtë të tallet me viktimat e gjenocidit nazist.

Më herët, Lojërat Olimpike në Tokio u goditën edhe nga një skandal tjetër. Një muzikant u largua nga ekipi sepse u bë publike se ai kishte ngacmuar shokët e klasës me aftësi të kufizuara në shkollë.

Ndërsa një koment me natyrë gjinore i kushtoi vendin e punës kryetarit të komitetit organizator, Yoshiro Mori. Deklarata e tij se gratë flisnin shumë dhe se takimet me shumë drejtoresha të bordeve femra do "të merrnin shumë kohë", i solli shkarkimin nga puna.

Lojërat Olimpike Tokio 2020 do të nisin këtë të premte. Ato u shtynë vitin e kaluar për shkak të pandemisë.