Klubet shqiptare mësojnë rivalët e raundit të tretë të Conference League
Është hedhur në Nyon të Zvicrës shorti për raundin e tretë eliminator të Conference League. Eventi më i ri që këtë vit ka marrë rrugë, trofeu i të cilit vitin e ardhshëm do të dorëzohet në “Air Albania” për fituesin, ka mësuar çiftet e raundit të tretë ku mund të luajnë klubet shqiptare gjithmonë nëse do të kualifikohen në takimet përkatëse të raundit të dytë.
Teuta që ka një duel të lehtë përballë Inter d’Escaldes në raundin e dytë do të luajë në raundin e tretë Shamrock Rovers, kampionët e Irlandës. Një test i vështirë por jo i pamundur për ekipin durrsak.
Nëse Vllaznia do të kalojë AEL Limassol në dy ndeshjet e parashikuara, do të ketë përballë më tej në Conference League ekipin që do të kualifikohet nga Qarabağ (AZE) / Ashdod (ISR). Azerët janë njohje e vjetër pasi ka luajtur prej vitesh Ansi Agolli dhe janë një ekip shumë i vështirë për t’u mundur.
Ndërkohë Prishtina e cila duhet të kalojë më parë Connah, do të ketë një short të vështirë pasi do të luajë me fituesin e çiftit Valur/Bodo Glimt dhe këta të fundit, kampionët e Norvegjisë janë mëse favorit për të avancuar.
Partizani që do të ketë Baselin përballë në raundin e dytë, nëse avancon më tej do të ketë shansin të luajë me fituesin e Újpest (HUN) / Vaduz (LIE), praktikisht të kalueshme por fillimisht duhet të masë forcat me zviceranët e Baselit.
Laçi që në raundin e dytë të Conference League do të përballet me rumunët e Craiovas, është shortuar me belgët e Anderlecht (BEL) të cilët sigurisht janë të vështirë për t’u mundur në këto nivele.
Drita e Kosovës që ka një duel jashtëzakonuisht të vështirë ndaj Feyenoord në raundin e dytë nëse kualifikohet do të ketë përballë zvicerancët e FC Luzern (SUI).
Ndërkohë që Shkëndija e Tetovës që fillimisht do të ketë dy ndeshje ndaj Riga në raundin e dytë, më tej nëse kalon e ka më të lehtë me fituesin e takimit Folgore-Hibernians.
E fundit, Shkupi që ka përballë Santa Claran në raundin e dytë, do të luajë më tej nëse kualifikohet me Olimpija Ljubjana ose Birkirkara.
Ndeshjet e raundit të tretë eliminator të Conference League do të luhen më 5 gusht takimet e vajtjes dhe më 12 gusht ato të kthimit.
