Koeman: Topin e Artë e meriton Messi, i kënaqur për merkaton e drejtuesve

Te Barcelona janë në ankth për firmën e Messit që gjithsesi do të vijë pasi argjentinasi ka gjetur akordin me presidentin Laporta dhe tani po shijon pushimet.

Për qendrimin e Lionel Messit nuk kishte dyshime as trajneri Ronald Koeman i cili tha se mezi pret për sezonin e ri dhe që Messi të bashkohet me skuadrën teksa shtoi se për diskutimet e Topit të Artë, atë çmim e meriton pikërisht "pleshti".

"Messi është shumë i rëndësishëm, është kapiten dhe shembull për të tjerët. Sezonin që lamë pas, pas një fillimi të vështirë, ai provoi edhe një herë se është lojtari më i mirë në botë. Donte ta fitonte Kupën e Amerikës pas disa vitesh pa një sukses domethënës në ekipin kombëtar. Si më i miri në botë, ai është mësuar të fitojë. Ai është kandidati kryesor për Topin e Artë për sezonin e shkëlqyeshëm që zhvilloi dhe për suksesin në Kupën e Amerikës. Për mua ai është favoriti i madh, dhe e meriton".

Trajneri holandez i cili kishte kërkuar përforcime u shpreh i kënaqur me punën e klubit teksa i analizoi edhe lojtarët e afruar.

"Është mirë të kesh Eric Garcian në skuadër. Është rritur te Barcelona, tani ka edhe përvojën e të lujaturit në Premier League. Ka shumë eksperiencë dhe është vetëm 20 vjeç. Depay? E njoh atë nga kombëtarja e Holandës dhe është lojtar i nivelit të lartë. Ishte kapiten i ekipit. Barça në fakt nuk është Lyon, është diçka tjetër, por është 27 vjeç dhe ka moshën e duhur për një hap të tillë.

Luan disa pozicione në sulm dhe bën shumë gjëra. Aguero ka shumë përvojë dhe një cilësi të shkëlqyer brenda zonës. Ai është finalizues, shënon gola dhe shpresojmë ta sjellim atë në gjendje të mirë fizike. Sezonin e shkuar humbi kohë prej dëmtimeve dhe shpresoj të kthehet në nivelin e tij më të mirë", përfundoi trajneri holandez i Barcelonës.