Kosova ndryshe nga Shqipëria, lejon dasmat dhe muzikën deri në orën 1 të natës
Qeveria e Kosovës ka publikuar masat e reja anti-Covid, të cilat hyjnë në fuqi ditën e sotme.
Kështu janë lehtësuar gradualisht masat anti-Covid duke mundësuar një aktivitet të shtuar ekonomik.
Në vendimin e saj, qeveria pohon se është bazuar në të dhënat e analizuara mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKShPK-së.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë thekson se gjendja epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë është qëndrueshme.
Bazuar në vendimin e qeverisë, nga dita e sotme lejohet mbajtja e dasmave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës deri në orën 01:00 të natës.
Organizimi i tyre duhet të bëhet vetëm me kushtin që të shfrytëzohet vetëm 50 për qind e kapacitetit, e jo me më shumë se 300 persona.
Klubeve të natës do t’u lejohet muzika deri në orën 01:00 dhe u lejohet lirimi i hapësirës deri në orën 01:45.
Ndërkaq shërbimeve të gastronomisë do t’u lejohet puna deri në orën 23:00 në ditët e punës, përveç të premtes e së shtunës kur lejohet deri në orën 00:00.
Sa i përket sportit, nëpër stadiume e hapësira të jashtme lejohet prania e shikuesve deri në 30 për qind të kapacitetit.
