Plori i lumtur për kualifikimin: Ishte mrekulli, është festë për të gjithë

Vllaznia arriti një kualifikim spektakolar në "Loro Boriçi", duke mposhtur 3-0 Siroki Brijeg pa patur nevojë as për shtesë teksa vërshëllima finale çoi në festë të gjithë Shkodrën.

Në reagimin e tij pas ndeshje, ndihmës trajneri Plori, pasi Brdariç ishte i skualifikuar, nuk e fsheh gëzimin e tij dhe të skuadrës për kualifikimin dhe rezultatin e arritur.

"Ishte mrekulli, siç e shikoni edhe ju, atmosfera ka ndryshuar shumë në Shkodër.  Quhet mrekulli sepse i shënuam në pjesën e dytë të 3 golat, prania e tifozëve në stadium ishte një armë shumë e fortë për ne. Tifozët i kanë munguar shumë futbollit, gjithashtu dhe ne. Në momentin e parë që janë dëgjuar ata, them që ka pasur një ndryshim shumë të madh për ne. Është një festë e vërtetë, sepse e mbyllëm shumë bukur këtë ndeshje".

Plori shpjegoi se ekipi kishte marrë direktiva të qarta për ndeshjen, ndërsa u shpreh se Vllaznisë i mungonte prej vitesh një sukses i tillë.

"Ndryshuam shumë, jo vetëm në emra, por edhe në mënyrën e lojës. U futëm me 2 sulmues direkt dhe një lojtar që bllokonte organizatorin e Shirokit, i cili na vuri në vështirësi ndeshjen e parë. Kemi besuar besuar te kualifikimi që ditën e parë kur na ra shorti me ta, por edhe në momentin e parë, pas ndeshjes së parë atje. Nuk ka qenë një rezultat i drejtë atje, duke menduar që çfarë bëri arbitri në ndeshjen e parë. Kishte 10 vite që Vllaznia nuk merrte pjesë në Kupat e Europës, është një sadisfaksion për të gjithë. Ky ndryshim ka 1 vit që ka filluar. Kemi një bazë të shëndoshë të ekipit dhe kjo dha efekt”, deklaroi i lumtur dhe tepër i gëzuar trajneri i dytë Plori.