"Lufta" me trastat e fermerëve/ Incidenti me të moshuarën, komisioneri: Do t'i shkojmë rastit deri në fund
Ky nuk është vetëm një rast i izoluar në Tiranë. Trotuareve të kryeqytetit ku fermerët e rrethinave hapin trastat me perime e zarzavate e pësojnë nga patrullat e policisë bashkiake.
Videot amatore ku shfaqen produktet e shpërndara me forcë nga policë të bashkisë, kanë ngjallur reagim në opinion.
Por çfarë thonë institucionet që sigurojnë të drejtat e konsumatorëve.
Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi bazuar në ankesat që kanë mbërritur aty garanton se do të marrë masa për rastin e cenimit të dinjitetit të së moshuarës .
"Është vënë re një sjelle jo etike ndaj qytetarëve me veprime të ekzagjeruara. Ajo që kërkohet nga ana e policisë bashkiake është fryma që duhet të ketë. Fryma duhet te jetë në funksion të qytetarëve, në shërbim të qytetarëve, në ndreqjen e situatave problematike, por duke i respektuar qytetarët," tha Gajda.
Ankesat e depozituara në këtë institucion janë rritur krahasuar me një vit më parë. Shumica vjen nga komuniteti rom dhe persona me aftësi të kufizuara .
"Ajo që kemi vënë re këtë vit është që ka një rritje të ankesave që lidhet me aftësitë e kufizuara. Shkaku tjetër ka qenë etnia dhe raca, por kuptohet që ka dhe shkaqe të tjera. Kemi pasur një numër të madh ankesash kohët e fundit që lidhet me komunitetitn LGBTI," tha ai.
Përveç ankesave që mbërrijnë nga individë të cilëve u është cenuar e drejta, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi herë pas here i referohet edhe medies për incidentet , përfshirë dhe ato në të cilat janë efektivë të policisë bashkiake në shkelje.
Por beteja nuk ka dhënë deri tani një rezultat të prekshëm, pasi pak muaj më parë Ora News arriti të fiksojë në kamera një skenë të ngjashme te spitalet ku efektive të kësaj strukture policore, tentuan të marrin me dhunë disa bidonë një të moshuare.
Askush nga ata nuk u ndëshkua për ndërhyrjen me forcë.
