Banorët e Lumasit kërkojnë në Gjykatën e Vlorës pezullimin e punimeve për ujësjellësin e Sinecit
Për herë të dytë brenda një muaji, banorët e Lumasit në Kuçovë morën rrugën për në Vlorë, duke udhëtuar rreth 130 kilometër në emër të asaj që ata e quajnë, beteja për ujin e Sinecit.
Banorët morën pjesën në gjyqin e dytë në Gjykatën Administrative ku kërkuan pezullimin e punimeve të një ujësjellësi që sipas tyre do të dëmtojë zonën.
"Ne na dëmton gjithë tokën."
"Jemi katandisur si mos më keq. Me atë ujë mbajmë gjithë familjet tona."
Ata pretenduan se policia ka ushtruar dhunë ndaj tyre.
"Ata na dhunojnë, madje burrit tim i kanë thyer krahun para 3 ditësh."
Banorët i bënë thirrje SPAK për veprim, ndërsa kanë depozituar një kallëzim në prokurorinë e posaçme.
Ambientalisti Sazan Guri krah banorëve tha se me projektin e ujësjellësit po dëmtohet edhe zona e mbrojtur.
"Që nuk mund të futesh në zonë 200 metra, bëj çfarë të duash, por që të betonizosh në 200 metra brenda nuk mund ta bësh këtë krim," tha Guri.
Gjykata Administrative vendosi të mërkurën shtyrjen për herë të dytë të seancës me 30 korrik.
Banorët e Lumasit kanë protestuar prej muajsh kundër ndërtimit të ujësjellësit, ndërsa disa herë janë përplasur dhunshëm edhe me policinë.
